Gjatë hedhjes së shortit për Ligën e Kombeve, Gjeorgjia u konsiderua si rivali më i lehtë i mundshëm për Shqipërinë. Megjithatë, ndeshjet e para të këtij edicioni kanë vërtetuar të kundërtën: Gjeorgjia, e cila po luan me formë të shkëlqyer, është një sfidë më e vështirë se sa pritej.
Në sfidën e parë të këtij edicioni, Gjeorgjia ka shfaqur një performancë mbresëlënëse, duke “shkatërruar” Republikën Çeke me një rezultat të thellë 4-0. Ky rezultat e ka vërtetuar se Gjeorgjia nuk është më një kundërshtar i lehtë në Grupin B1, dhe tashmë është parë si një nga favoritët për të fituar grupin.
Statistikat historike tregojnë se Gjeorgjia ka qenë gjithmonë një kundërshtar sfidues për Shqipërinë. Në 15 përballjet e deritanishme mes dy skuadrave, Shqipëria ka arritur të fitojë vetëm 3 herë, ndërsa Gjeorgjia ka regjistruar 8 fitore dhe 4 ndeshje janë mbyllur në barazim.
Megjithatë, Shqipëria ka kaluar në një fazë të re me trajnerin e saj të ri, Sylvinho, dhe ekipi ka treguar një potencial të jashtëzakonshëm. Besimi është i lartë në radhët e kuqezinjve për një rezultat pozitiv përballë Gjeorgjisë. Kompanitë e basteve e konsiderojnë Shqipërinë si favorite për këtë përballje, me një koeficient prej 2,30 për një fitore të mundshme të kuqezinjve, ndërsa një fitore e Gjeorgjisë vlerësohet me 3,10.
Pas xhiros së parë, të dy ekipet kanë grumbulluar pikë të plota dhe pritet një përballje e fortë për të siguruar dominimin në grup. Kjo ndeshje pritet të jetë një test i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, duke ofruar një mundësi për të parë se cili ekip ka kapacitetin për të mbajtur epërsinë në grupin e Ligës së Kombeve./UBTNews/