Angazhimin e 85 inspektorëve të rinj që kanë filluar punën dje në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), një ditë pas shpalljes së rezultateve, e ka arsyetuar shefi i ri i kësaj Agjencie, Flamur Kadriu.
Ani se pati kritika nga aplikantët dhe shoqëria civile, Kadriu ka thënë për KosovaPress se angazhimi i tyre ka qenë mjaft i domosdoshëm për AUV-in, në situatën siç thotë ai më të vështirë kur janë shtuar rastet me COVID-19.
Në anën tjetër, Kadriu thotë se shumica e inspektorëve të rinj, kanë përvojë pune në AUV.
“Një numër i madh i tyre janë inspektorë që ne i kemi pasur të angazhuar në periudhën e kaluar, pra kanë punuar diku gjashtë muaj. Mirëpo, atyre iu ndërpre kontrata pasi iu kaloi afati i kontratës. Për neve është një ndihmesë e madhe, sepse një pjesë e tyre është me përvojë për punën që e kanë kryer para gjashtë muajve, tash vetëm janë duke vazhduar, që faktikisht edhe neve po na ndihmon për realizimin e punës së tyre më shpejt në terren”, tha ai.
Kadriu thotë se përzgjedhjen e tyre e ka bërë Ministria e Shëndetësisë, me një komision vlerësues.
Me qëllim të zbatimit të masave antiCOVID-19, mbrëmë gjatë një inspektimi të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) 538 inspektime të realizuara janë shqiptuar dy gjoba për dy qytetarë të Gjakovës, tri gjoba për tri biznese, një në Gjilan, një në Ferizaj dhe një në Prizren.
Kadriu thekson se kjo agjenci ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të zbatimit të masave antiCOVID 19 ndaj të gjithë shkelësve.
“Gjatë natës së kaluar kanë qenë 538 kontrolle gjatë vizitave në lokale të ndryshme të gastronomisë e kështu me radhë. Kanë qenë të shqiptuara dy gjoba për persona fizikë, ndërsa për persona juridikë janë shqiptuar tri gjoba dhe rastet e monitorimit diku 196”, theksoi Kadriu.
Ndryshe, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë deri më tash ka pasur vetëm 11 inspektorë, të cilët njëkohësisht janë të angazhuar edhe për kontrollin e sigurisë ushqimore. Ndërsa atyre u janë bashkëngjitur edhe 85 inspektorë të terrenit.
Masat antiCOVID kanë hyrë në fuqi nga data 30 gusht dhe do të zgjasin deri më 13 shtator, kur bëhet edhe vlerësimi i ri i situatës.