Një delegacion i kadetëve nga Qendra për Studime Universitare (QSU) e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka marrë pjesë në Javën Ndërkombëtare të Kadetëve, e cila u zhvillua në Akademinë Ushtarake në Dresden të Gjermanisë. Ky aktivitet u realizua në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe përpjekjeve për forcimin e marrëdhënieve ushtarake ndërkombëtare.
Ngjarja mblodhi së bashku udhëheqësit e ardhshëm ushtarakë nga shtete të ndryshme aleate, duke u krijuar kadetëve të FSK-së hapësirë për shkëmbimin e përvojave dhe njohjen me metodat më bashkëkohore të trajnimit, doktrinës dhe udhëheqjes ushtarake. Po ashtu, vizita shërbeu si një platformë për zhvillimin e diplomacisë mbrojtëse përmes ndërtimit të urave të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë që në hapat e parë të karrierës së tyre.
Nga FSK-ja kanë vlerësuar se përfaqësimi i kadetëve në këtë aktivitet dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm për ngritjen profesionale sipas standardeve më të larta të NATO-s, duke i përgëzuar ata për lartësimin e flamurit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. /E.A/
