Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit hodhi poshtë pretendimet e talibanëve se ata kontrollojnë 90 për qind të kufijve të këtij vendi.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë, Fawad Aman, kjo është “gënjeshtër absolute” dhe “propagandë e pabazë”.
Talibanët kanë intensifikuar luftimet kundër forcave qeveritare, prejse forcat ndërkombëtare kanë nisur tërheqjen zyrtare nga Afganistani në fillim të majit.
Në javët e fundit, ata kanë marrë pjesë të mëdha të Afganistanit nën kontrollin e tyre, përfshirë disa pika kyçe kufitare.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, i bëri pretendimet për kontrollin e 90 për qind të kufijve për agjencinë ruse të lajmeve RIA Novosti.
Deklarata nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Këtë javë, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, ka thënë se talibanët kontrollojnë gati gjysmën e 420 qendrave të qarqeve në Afganistan.
Por, sipas tij, militantët nuk kontrollojnë asnjë nga qytetet kryesore të Afganistanit dhe ushtria afgane “është duke konsoliduar forcat e saj”, për t’i mbrojtur banorët e qyteteve të mëdha.
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, ka thënë këtë javë se “talibanët kanë dëshmuar se ata nuk kanë vullnet dhe synim për paqe”./REL