Ka vdekur në moshën 85-vjeçare kompozitori i njohur shqiptar, Fahri Beqiri. Lajmin e ka konfirmuar muzikanti Ylber Asllanaj përmes një shkrimi në Facebook.
“Pusho në paqe prof.Fahri!Do të të kujtojmë me respekt e dashuri për aq sa t’jemi edhe ne!”, ka shkruar Asllanaj në Facebook.
Sot nga ora 14:00-15:00 do të mbahen homazhe për të ndjerin Fahri Beqiri në Teatrin Kombëtar. Ndërsa varrimi i të ndjerit do të bëhet në orën 17:00 në varrezat e qytetit në Prishtinë.
Kompozitori Fahri Beqiri u lind në vitin 1936 në qytetin e Mitrovicës. Studimet e larta për kompozim i kreu në Akademinë e Muzikës në Beograd. Fahriu ishte udhëheqës artistik i Ansmbalit “Shota” i shoqërisë artisike “Kastriotët” e Ferizajt dhe udhëheqës i Festivalit “Kosovraja këndon”.
Numri i veprave të muzikës artistike-serioze te ky kompozitor nuk është i madh, por i rëndësishëm. Të tilla janë veprat “Poema simfonike”, “Kuinteti frymor”, “Sonata për klarinet dhe piano, allaturka për piano”.
Fahri Beqiri në vitin 2013 ishte nderuar nga Ministria e Kulturës me çmimin për Vepër Jetësore “Niketë Dardanë”. Këtë çmim ia kishte dhuruar ministri i atëhershëm i Kulturës, Memli Krasniqi, i cili kishte thënë se kompozitori Fahri Beqiri ka dhënë një kontribut të madh në artin muzikor në Kosovë./UBTNews