Ka ndërruar jetë Eqrem Kryeziu, ish-kryetar i Komunës së Prizrenit, ish-nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Prizrenit, i cili ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Kryeziut.
Ai e ka vlerësuar Kryeziun si një prej figurave të rëndësishme të jetës politike dhe publike të Prizrenit dhe të LDK-së.
“Për vite me radhë, ai dha kontributin e tij në shërbim të qytetit, qytetarëve dhe vendit”, ka shkruar ai, duke theksuar se Kryeziu, përmes angazhimit të tij politik dhe institucional, ka lënë gjurmë në historinë e Prizrenit dhe të LDK-së.
Eqrem Kryeziu ka mbajtur disa poste politike dhe institucionale, ndërsa ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në disa mandate.
Për vdekjen e tij janë shprehur ngushëllime për familjen, të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët dhe strukturat e LDK-së./A.K/
