Juventusi ka pësuar humbjen e parë të sezonit ndaj Fiorentinës me rezultat 3-0, humbje kjo që erdhi pas vendimit që apeli në itali dha që ndeshja me Napolin, që i takoi në tavolinë Juventusit, të zhvillohet.
Pas takimit, Andrea Pirlo e ka pranuar se Juventusi kishte një ‘ditë të keqe’ ndaj Fiorentinës, ndërsa shtoi se vendimi i apelit për Napolin nuk është i drejtë për skuadrat e tjera që udhëtuan e kishin raste me COVID-19.
“Kjo nuk duhet të jetë alibi. Ne e kemi filluar ndeshjen me qëndrim të gabuar”
“Mund të ndodhë në ndeshjen e fundit para Krishtlindjes të fillojmë të mendojmë për pushimet, por ne ishim të ngadaltë dhe të papërqendruar, kështu që në mënyrë të pashmangshme ne humbëm”, ka thënë fillimisht Pirlo.
Ai ka shtuar se Juventus nuk është prekur nga vendimi për të luajtur ndeshjen me Napolin, muajin e ardhshëm.
“Ne nuk e kemi problem ta luajmë ndeshjen. Unë jam më i zhgënjyer për ato skuadra të tjera që udhëtuan dhe luajtën pa shumë e shumë lojtarë që i kishin me COVID”.
“Unë nuk do të them nëse vendimi ishte i saktë apo jo, por nuk u duk i drejtë për skuadrat e tjera që luajtën në situata më të vështira”ka theksuar Andrea Pirlo.
Nga ana tjetër Pavel Nedved lëshoi stadiumin me ankesa të mëdha, pasi sipas tij nuk iu dhanë Juventusit dy penallti, ndaj Cristiano Ronaldos dhe Federico Bernardeschit.
“Imazhet duken të qarta, kartoni i kuq i Cuadrado ishte shumë i qartë. Mund të ketë pasur incidente të tjera në favorin tonë, por nuk e ndiej të nevojshme të komentoj. Mbi të gjitha, të gjithë mund t’i shohin pamjet”, ka përfunduar Pirlo./UBTNews