UBT News

Juventus në vështirësi ekonomike, kërkohet shtyrja e 4 pagave mujore

Një sezon i tërë i luajtur në kushtet e pandemisë ka dhënë efektet e veta në shumë klube futbolli, që po përballen me vështirësi të jashtëzakonshme për të ruajtur balancat ekonomike.

Së fundi është folur shpesh për vështirësitë ekonomike që ka grupi Suning në likuidimin e pagave dhe detyrimeve të tjera te Interi, por edhe Juventus nuk po kalon një situatë aspak të mirë financiare.

Pagat e larta të futbollistëve bardhezi kanë filluar të peshojnë shumë në një sezon anormal, ku të ardhurat nga stadiumi kanë qenë zero dhe në të njëjtën kohë shpenzimet për organizimin e stërvitjeve, transfertave dhe ndeshjeve, janë rritur ndjeshëm.

Kështu mediat italiane raportojnë se drejtuesit e klubit bardhezi u kanë kërkuar futbollistëve të pranojnë shtyrjen e 4 pagave mujore, konkretisht të periudhës mars-qershor 2021, me qëllim që të lehtësojnë sadopak bilancin e këtij sezoni.

Një lëvizje të ngjashme drejtuesit e Juventusit e bënë edhe sezonin e kaluar, megjithatë atëherë vetë futbollistët vendosën të heqin dorë fare nga një pagë e gjysmë, ose thënë ndryshe rreth 33.75 milionë euro në total.

Këtë herë drejtuesit e klubit duan që pagat e 4 muajve të shtyhen dhe të shpërndahen në dy sezonet e ardhshme, me qëllim që të lehtësojë bilancin me më tepër se 100 milionë euro, një shifër kjo e konsiderueshme në rrethana të tilla ekonomike.

Exit mobile version