Drejtuesit e AS Roma duket se e kanë planifikuar me kohë shkarkimin e Daniele De Rossit, edhe pse vendimi i shpallur sot pasdite erdhi si një surprizë për shumëkujt. Ky zhvillim ka sjellë një valë spekulimesh mbi emrat që mund ta zëvendësojnë legjendën e klubit.
Menjëherë pas njoftimit të shkarkimit, emrat e mundshëm për postin e trajnerit filluan të qarkullojnë, por duket se Ivan Juric është kandidati kryesor për ta marrë drejtimin e skuadrës. Trajneri kroat, i cili ka qenë pa punë pas largimit nga Torino, raportohet se ka udhëtuar drejt Romës për të zhvilluar bisedime me pronarët e klubit, familjen Friedkin.
Gazetari i njohur italian Fabrizio Romano ka konfirmuar se marrëveshja për trajnerin është në faza të avancuara dhe se gjithçka është gati për të kaluar në një marrëveshje përfundimtare.
Një tjetër emër që u përmend në këtë proces ishte ai i Massimiliano Allegrit. Megjithatë, ish-trajneri i Juventusit dhe Milanit kërkonte një pagë të lartë, që mund të shndërrohej në një pengesë të konsiderueshme për verdhekuqtë. Ky faktor e bën Allegrin një opsion më pak të favorshëm në sytë e drejtuesve të Romës, të cilët duket se preferojnë një trajner me përvojë si Juric, që do të mund të sjellë një qasje të re dhe të freskët për skuadrën.
Ky ndryshim në stafin drejtues erdhi në një moment delikat për Romën, e cila ka nevojë për një impuls të ri pas rezultateve të dobëta në fillim të sezonit. Tifozët janë të etur të shohin se si do të evoluojë situata dhe nëse Juric do të jetë njeriu që do t’i kthente verdhekuqtë në rrugën e suksesit./UBTNews/