Jurgen Klopp është emëruar zyrtarisht përzgjedhës i Kombëtares së Gjermanisë. Trajneri i njohur u prezantua të premten nga Federata Gjermane e Futbollit, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij.
Klopp zëvendëson Julian Nagelsmannin, i cili dha dorëheqje pas eliminimit zhgënjyes të Gjermanisë në Kupën e Botës.
Trajneri 59-vjeçar ka nënshkruar kontratë katërvjeçare, e cila hyn në fuqi më 15 gusht. Ai do ta udhëheqë Gjermaninë në kualifikimet dhe fazën finale të Euro 2028, si dhe në Kupën e Botës 2030. Në stafin e tij teknik do të jenë Peter Krawietz, Pepijn Lijnders dhe Sven Bender.
Gjatë prezantimit, Klopp tha se drejtimi i përfaqësueses gjermane është një nder i madh dhe premtoi të ndërtojë një skuadër të bashkuar dhe konkurruese.
“Ekipi kombëtar mund ta bashkojë Gjermaninë si asgjë tjetër. Për këtë arsye kjo detyrë është shumë e veçantë për mua. Do të zhvillojmë një ekip me lojtarë që luftojnë për njëri-tjetrin, që e shijojnë futbollin dhe në të cilin njerëzit e vendit tonë mund të besojnë”, deklaroi Klopp.
Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf, e cilësoi Kloppin si zgjedhjen ideale për këtë post.
“Jurgen Klopp, si pak të tjerë, përfaqëson pasionin, besueshmërinë dhe aftësinë për të frymëzuar njerëzit. Pas largimit të Nagelsmannit, ai ishte zgjedhja jonë e parë për drejtimin e ekipit kombëtar”, tha Neuendorf.
Klopp rikthehet në profesionin e trajnerit pas një periudhe në kompaninë Red Bull, ku kishte rolin e drejtuesit global të futbollit.
Gjatë karrierës së tij, ai drejtoi Mainzin, Borussia Dortmundin dhe Liverpoolin, duke fituar trofe të shumtë. Me Dortmundin fitoi dy tituj të Bundesligës, Kupën e Gjermanisë dhe dy Superkupa, ndërsa me Liverpoolin triumfoi në Premier League, Ligën e Kampionëve, Kupën FA, Kupën e Ligës, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube.
Debutimi i Kloppit në stolin e Gjermanisë do të jetë në fund të shtatorit, kur “Panzerët” do të përballen me Holandën në Amsterdam në kuadër të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
D.L
