Julian Nagelsman i ka dhënë fund të gjitha spekulimeve për të ardhmen e tij. Trajneri gjerman ka nënshkruar sot një kontratë të re me Federatën Gjermane, duke konfirmuar se do ta drejtojë përfaqësuesen e vendit të tij deri në Botërorin 2026.
Interesimi për trajnerin gjerman nuk kishte munguar nga klubet e mëdha evropiane. Bayern Munich po e shihte me kujdes, duke kërkuar rikthimin e tij në “Allianz Arena”, Në anën tjetër ishin edhe Liverpool e Manchester United ekipe të cilat donin të ofronin shërbimet e trajnerit. Por sot erdhi vendimi për rinovimin, që u bë zyrtar nga Federata Gjermane duke i dhënë fund çdo spekulimi rreth tij.
“Ky është një vendim zemre. Është një nder i madh që të jem unë ai që drejton ekipin kombëtar dhe të punoj me lojtarët më të mirë të vendit”, tha ai.
Ndërkaq edhe presidenti i Federatës, Bernd Neuendorf, u shpreh i lumtur për nënshkrimin e kontratës me trajnerin.
“Ky është një sinjal i fortë për Federatën dhe ekipin kombëtar që Julian Nagelsman do të qëndrojë trajner përtej Evropianit. Pasi ai ishte në listën e shumë klubeve të mëdha në Evropë. Por ekipi kombëtar është më shumë se një punë për Nagelsman, është çështje zemre”, deklaroi ai./UBTNews/