Jude Bellingham, ylli i mesfushës së Real Madridit, është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes së Superkupës së Evropës, pas një paraqitjeje mbresëlënëse që ndihmoi madrilenët të triumfojnë ndaj Atalantas me rezultat 2-0. Vendimi për nderimin e tij erdhi pas një shfaqjeje të jashtëzakonshme që tregoi klasën e tij në këtë finale prestigjioze.
Sipas UEFA-s, Bellingham ishte figura kyçe në suksesin e Real Madridit. “Ai e shtyu përpara ekipin në pjesën e dytë duke fituar duele dhe ka bërë vrapime të mira para. Ai shfaqi përdorim të shkëlqyer të topit, bashkë me kualitetin e liderit. Po ashtu dhuroi asistim në golin e dytë,” shkroi UEFA në raportin e saj për ndeshjen.
Mesfushori 21-vjeçar anglez ishte katalizatori që aktivizoi sulmet vendimtare të “Mbretërve”. Ai asistoi në golin e Kylian Mbappe, duke bërë një pasim të saktë që mundësoi shënimin e golit të dytë vendimtar për Real Madridin. Për më tepër, Bellingham ishte thelbësor edhe në aksionin e golit të parë, duke krijuar hapësira dhe duke iniciuar lëvizjen që përfundoi me golin e Federico Valverde.
Paraqitja e tij e mbrëmshme në Varshavë jo vetëm që konfirmoi talentin e tij të jashtëzakonshëm, por edhe rolin udhëheqës që ai po merr në një klub të madh si Real Madridi. Ky çmim si lojtari më i mirë i ndeshjes vjen si një tjetër dëshmi e potencialit të tij të madh dhe ndikimit të tij në fushë.
Ndërsa Real Madridi feston fitoren e Superkupës Evropiane, Bellingham shijon lavdinë individuale si një prej lojtarëve më premtues dhe më të talentuar në futbollin botëror. Kjo është vetëm një tjetër kapitull i mrekullueshëm në karrierën e tij që sapo ka filluar të shkruhet./UBTNews/