Jose Mourinho është rikthyer zyrtarisht në stolin e Real Madrid. Lajmi është konfirmuar nga Benfica, e cila ka njoftuar se klubi madrilen ka paguar 15 milionë euro për lirimin e trajnerit portugez nga kontrata e tij.
Në një deklaratë të publikuar nga Benfica thuhet:
“Benfica njofton se Real Madridi ka formalizuar qëllimin për të nënshkruar me Jose Mourinhon për 15 milionë euro dhe trajneri ka dhënë pëlqimin e tij. Faleminderit, Jose Mourinho.”
Pas largimit të Mourinhos, Benfica ka emëruar si trajner të ri Marco Silva.
Te Real Madridi, Mourinho do të zëvendësojë Alvaro Arbeloa në krye të skuadrës.
Për trajnerin 63-vjeçar, kjo do të jetë periudha e dytë në drejtimin e Real Madridit, pasi ai e udhëhoqi ekipin nga viti 2010 deri në vitin 2013. Gjatë asaj periudhe, Mourinho fitoi një titull të kampionit të Spanjës në sezonin 2011/12, një Kupë të Spanjës në sezonin 2010/11 dhe një Superkupë të Spanjës në vitin 2012.
Rikthimi i tij në “Santiago Bernabéu” pritet të ngjallë interes të madh te tifozët, duke pasur parasysh sukseset dhe ndikimin që portugezi pati gjatë mandatit të tij të parë në kryeqytetin spanjoll.
D.L
