Ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, e ka përfunduar dëshminë e tij në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ish-diplomati Duncan, i cili gjatë viteve ’90 ishte këshilltar politik i Wesley Clark, komandantit të atëhershëm të NATO-s, në fillim të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, foli për rolin e tij në Kosovë.
Ai tha se detyra e tij ishte ta informonte Clarkun gjeneralin që udhëhoqi fushatën bombarduese kundër caqeve serbe në vitin 1999.
Ai tha se se nuk ka parë komunikata të UÇK-së ku të jenë përmendur ekzekutime, dhe gjithashtu, theksoi se nuk ka pasur dëshmi se ka ekzistuar një Shtab i Përgjithshëm sipas pikëpamjeve ushtarake.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit të hënën, ai tha se Thaçi shihej si politikan dhe jo komandant i UÇK-së.
“Asnjëherë nuk e kam parë të jepte direktiva apo urdhra, ishte qartë që kishim të bënim me dy lloj njerëzish, e para, kishim të bënim me ushtarakun apo oficerin e nivelit të lartë, dhe e dyta ishte politikani. Kjo ishte përshtypja që më është krijuar mua”, tha ai.
Duncan shtoi se UÇK-ja nuk kishte strukturë hierarkike.
Ky ishte dëshmitar i tretë, pasi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u dëgjua ish-ndihmëssekretari amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës në negociatat në Rambuje, Paul Williams.
Seanca e radhës, me dëshmitarin tjetër do të mbahet të hënën, 29 shtator./S.K/KP/