Fantazisti portugez Joao Mario largohet përfundimisht nga Interi. Futbollisti 28-vjeçar, i cili u transferua te zikaltrit në verën e 2016-ës, ka qëndruar në Milano vetëm dy sezonet e para, sepse tre të tjerët i ka kaluar në huazim.
Gjithsesi këtë verë zikatrit dështuan ta shesin te Sportingu i Lisbonës dhe në pamundësi për të arritur një marrëveshje transferimi me Benficën, vendosën të prishin me marrëveshje kontratën me futbollistin, i cili tani është i lirë të zgjedhë vetë të ardhmen e tij.
Në fakt prapaskena duket të jetë ndryshe, pasi futbollisti u kërkua nga Benfica për shifrën e 7.5 milionë eurove, por zikaltrit nuk mund t’ua shisnin luzitanëve, pasi kishin një klauzolë që nëse e shisnin fantazistin në Portugali, duhej t’i paguanin Sportingut të Lisbonës një dëmshpërblim prej 30 milionë eurosh.
Në këtë mënyrë Marotta dhe Rui Costa (presidenti i përkohshëm i Benficës) duket se kanë vendosur të ndjekin rrugën tjetër, atë të prishjes së kontratës mes Interit dhe Joao Marios, dhe më pas firmën e këtij të fundit me Benficën. Në këtë mënyrë zikaltrit i shpëtojnë gjyqit me Sportingun e Lisbonës dhe kursejnë pagën bruto të vitit të fundit të mbetur në kontratë me Joao Marion, i cili pritet të firmosë për 4 sezone, me rrogë 2 milionë euro në vit me Benficën.
Nga ana tjetër, është paralajmëruar se Benfica mund të blejë ndonjë nga të rinjtë e Interit në vlerën e 8 milionë eurove, për të shpërblyer zikaltrit, që lanë të lirë mesfushorin Joao Mario.