Të shtënat në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë duken të jenë tentativa e tretë për atentat me të cilën është përballur Donald Trump, pas incidenteve në Butler, Pensilvani në korrik 2024, dhe në klubin e tij të golfit në Florida në shtator të po atij viti.
Por në një intervistë për “60 Minutes” dje, Trump tha: “Nuk isha i shqetësuar. Unë e kuptoj jetën. Jetojmë në një botë të çmendur.”
I pyetur rreth rrjedhës së ngjarjeve – ku JD Vance u nxor i pari me nxitim nga dhoma – Trump tha se ai “nuk po ua bënte të lehtë” agjentëve të Shërbimit Sekret që ta evakuonin nga salla.
“Doja të shihja se çfarë po ndodhte… Doja të shihja se çfarë po bëhej. Dhe në atë kohë filluam ta kuptonim se ndoshta ishte një problem i rëndë.”
I pyetur për momentin kur u ul përtokë ndërsa po nxirrej nga dhoma, Trump u përgjigj: “Fillova të ecja me ta [ekipin e sigurisë]. U ktheva, fillova të ecja dhe ata thanë: ‘Ju lutem uluni. Ju lutem uluni në dysheme.’ Kështu që unë u ula, dhe Zonja e Parë u ul gjithashtu.”
Partneri i BBC-së, CBS News, ka parë një dokument të shkruar që besohet se lidhet me të dyshuarin, Cole Allen, ku thuhej se ai donte të shënjestronte anëtarët e administratës Trump “nga rangu më i lartë tek ai më i ulët”.
Gjatë intervistës në “60 Minutes”, Trump u irritua me gazetaren Norah O’Donnell pasi ajo e pyeti rreth përmbajtjes së raportuar të shkrimeve, të cilat përfshinin referenca si “pedofil, përdhunues dhe tradhtar”.
Ai e quajti O’Donnell “turp” që e pyeti për ato fragmente, duke shtuar se “duhet të kesh turp nga vetja që i lexon ato, sepse unë nuk jam asnjë nga ato gjëra”. /BBC/
