Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, ka dhënë dorëheqje mes hetimeve që gjetën se dhjetëra zyrtarë qeveritarë kishin shmangur shërbimin ushtarak, duke kërkuar që të marrin përfitime për aftësi të kufizuara.
Mobilizimi është një çështje shumë e ndjeshme në Ukrainë, pasi numri i ushtarëve të këtij shteti është varfëruar, teksa lufta e nisur nga Rusia kundër Ukrainës po vazhdon që dy vjet e gjysmë.
Kostin njoftoi për dorëheqjen e tij më 22 tetor përmes Telegramit, pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, ku mori pjesë presidenti Volodymyr Zelensky, i cili tha se Kostin “duhet të marrë përgjegjësi” për situatën e krijuar.
“Mendoj se qëndrimi i presidentit Zelensky është absolutisht i drejtë… dhe po ashtu mendoj se është korrekte që të njoftoj për dorëheqjen time si prokuror i Përgjithshëm”, tha Kostin përmes Telegramit.
Më herët gjatë këtij muaji, hetuesit gjetën se një numër i prokurorëve publikë në rajonin perëndimor të Kmelintskit jashtëligjshëm kishin marrë dokumente për të dëshmuar në mënyrë të rreme se kishin aftësi të kufizuara, në mënyrë që të merrnin përfitime nga shteti.
Pak pas dorëheqjes së Kostinit, kryeministri Denis Shmyhal, njoftoi për shkarkimin e disa zyrtarëve të lartë që mbikëqyrin shërbimet, dhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë që koordinojnë aktivitetet me komisionet lokale./REL/