Deputeti Haxhi Avdyli ka njoftuar dorëheqjen e tij të parevokueshme nga të gjitha pozitat në Partinë Guxo, si shenjë proteste ndaj asaj që ai e quajti fushatë të ulët dhe linçuese ndaj Presidentes Vjosa Osmani.
Avdyli deklaroi se mospajtimet e tij politike me orientimin e fundit të grupit parlamentar u pasuan nga sulme dhe shpifje të rënda, të cilat sipas tij kanë përfshirë edhe përdorimin e inteligjencës artificiale për të nxitur urrejtje.
Ai theksoi se nuk mund të jetë pjesë e një politike që denigron figurën e Presidentes dhe rrezikon funksionimin demokratik të institucioneve.
“Në shenjë proteste, dhe për të mos identifikuar veten me këtë fushatë të ulët, kam vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në Partinë Guxo,” deklaroi Avdyli.
Në anën tjetër, Kryesia e Partisë Guxo ka njoftuar se e pranon dorëheqjen e tij, duke e parë atë si një zgjedhje të vullnetshme të deputetit. Përmes një komunikate, partia e ka falënderuar Avdylin për kontributin e deritanishëm, por ka hedhur poshtë pretendimet e tij për motivet e largimit.
Guxo konfirmoi se asnjë anëtar i saj nuk është përfshirë në linçime publike, duke insistuar se qëndrimi i tyre mbetet strikt në mbrojtje të rendit dhe kushtetueshmërisë në vend.
“Askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt e aq më pak të Presidentes së Republikës,” thuhet në reagimin e partisë.
