Fitorja e Italisë në gjysmëfinale të Euro 2020 frymëzoi dy tituj në Italisht në faqet e para të As dhe L’Équipe. “Porca miseria” (Dreqi ta marrë), lexohet në gazetën sportive spanjolle, sipër fotos së gabimit vendimtar të Alvaro Moratas nga penalltia që i kushtoi Spanjës eliminimin, ndërsa revista franceze zgjodhi “L’allegria”, me imazhin e ekzaltimit të lojtarëve italianë për mbërritjen në finale.
Në përgjithësi, gazetat spanjolle i japin meritë ekipit kombëtar të Luis Enriques, pavarësisht daljes nga skena. “Një Spanjë që meritonte më shumë bie me penallti kundër Italisë”, shkruan El Pais në faqen e parë, duke nënvizuar se Roja “konfirmon përparimin e saj por nuk di si të përfitojë nga dominimi i saj”. Për El Mundo “Spanja ra me nder, u eliminua në serinë e penalltive kundër Italisë pas një ndeshje të shkëlqyer”. “Mbaroi” është titulli i thatë i Mundo Deportivos, i cili përcaktoi Spanjën si “dominuese” duke shtuar se nga ky Evropian ajo del “e përforcuar”.
“Me nder”, është titulli në faqen e parë të Marca, që përqendrohet në foton e përqafimit mes Enrique dhe portierit Unai Simon, duke shtuar se “Spanja bie me penallti pasi mundi Italinë me lojë dhe doli e pamposhtur nga Europiani. La Roja del me kokën shumë lart”. Për gazetën Sport është një “lamtumirë e padrejtë” për ekipin kombëtar spanjoll: “Del pasi është shumë më superiore se një Itali që gjithmonë e mbylli veten mbrapa”, thekson gazeta duke shtuar se “ka një të ardhme me Luis Enrique, ai ka ndërtuar një ekip të ri që kthehet t’i bëjë njerëzit të ëndërrojnë”.