Një seri aksidentesh të rënda trafiku kanë tronditur me pamjet dhe pasojat e tyre opinionin publik përgjatë kësaj jave, duke lënë të vdekur gjithsej 9 persona në rrugët e Kosovës dhe në rajon.
Bilanci më i rëndë i kësaj jave të zezë u shënua në Maqedoninë e Veriut, ku tre qytetarë nga Kosova humbën jetën tragjikisht në një aksident komunikacioni. Ndërkohë, vala e aksidenteve fatale vazhdoi edhe brenda territorit të Kosovës. Në Istog u shënua një tjetër ngjarje e rëndë ku vdiqën dy persona, ndërsa vetaksidente me pasoja fatale për jetën u raportuan gjithashtu në afërsi të Komoranit dhe në Shirokë të Suharekës.
Listës së viktimave iu shtuan edhe dy gra: njëra prej të cilave ndërroi jetë disa ditë pas një aksidenti të rëndë në Mitrovicë, ndërsa tjetra humbi jetën mëngjesin e sotëm në fshatin Studime të Vushtrrisë.
Duke marrë parasysh këtë bilanc të dhimbshëm që ka ngritur alarmat mbi sigurinë rrugore, autoritetet kanë nisur hetimet për secilin rast për të sqaruar rrethanat e sakta. Njëkohësisht, policia u ka bërë sërish thirrje urgjente të gjithë drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes maksimal, t’i përshtaten kushteve të rrugës dhe të shmangin shpejtësinë e pakujdesinë që po e kthen komunikacionin në një rrezik konstant për jetën. /E.A/
