Liga e Kampionëve rikthehet këtë javë me përballje të mëdha, ku vëmendja kryesore do të jetë te dueli mes Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës, si dhe sfida mes Bayern Munichut dhe Arsenalit.
Barcelona po kalon një formë të jashtëzakonshme, duke regjistruar 11 fitore në po aq ndeshje këtë edicion dhe duke realizuar plot 48 gola. Skuadra katalanase, e udhëhequr në sulm nga Lamine Yamal dhe Raphinha, synon të vazhdojë serinë pozitive edhe ndaj PSG-së.
Nga ana tjetër, parisienët vijnë pas gjashtë fitoreve radhazi dhe kanë treguar efikasitet të lartë në sulm. Përballja e së martës pritet të jetë një test i rëndësishëm për të dy skuadrat, që konsiderohen ndër favoritet kryesore për trofeun evropian.
Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, kjo javë pritet të jetë një provë e rëndësishme për Barcelonën, e cila synon të dëshmojë se është rikthyer në mesin e skuadrave më të fuqishme të Evropës.
Një tjetër duel i madh zhvillohet të mërkurën në Munih, ku Bayerni pret Arsenalin. Gjermanët mbështeten te forma e shkëlqyer e Harry Kanet dhe fuqia sulmuese, ndërsa londinezët synojnë të ruajnë mbrojtjen e tyre solide, pasi ende nuk kanë pësuar gol në këtë edicion të Championsit.
Ndërkohë, Aston Villa synon të vazhdojë ecurinë pozitive përballë Vikingut, ndërsa Manchester City mund ta pushojë sulmuesin Erling Haaland në ndeshjen ndaj AEK-ut, pas shqetësimeve fizike.
Në anën tjetër, skuadrat italiane kërkojnë rezultate pozitive pas një fillimi të dobët në garën evropiane. Interi, Napoli, Roma dhe Como do të luajnë para tifozëve të tyre, me synimin për të përmirësuar pozitat në renditje.
Xhiroja e tretë e Ligës së Kampionëve premton spektakël, me përballje që mund të ndikojnë ndjeshëm në garën për kreun e tabelës.
D.L
