Në një zhvillim të ri rreth rastit të përjashtimit të disa futbollistëve nga përfaqësuesja e Kosovës, gazetari Arlind Sadiku ka konfirmuar një akuzë të rëndë që kishte bërë më parë Ramiz Shala. Sipas Sadikut, njëri nga futbollistët e përjashtuar ka bërë një deklaratë anonime ku ka pohuar se Agim Ademi, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e ka kërcënuar me fjalë të rënda.
Sadiku ka raportuar se futbollisti i përjashtuar ka thënë se Ademi e ka kërcënuar duke i thënë: “Jau thej kamtë, jau prishi karrierën”. Këto kërcënime, sipas Sadikut, janë bërë në mënyrë që të ndikonte në vendimet e futbollistëve dhe të ngjallte frikë.
Në emisionin “Dueli Sportiv”, Ramiz Shala kishte bërë të ditur se Agim Ademi kishte thirrur privatisht të tre futbollistët e përjashtuar dhe i kishte kërcënuar se do t’ua shkatërronte karrierën, duke i thënë se “iu shkatërroj fytyrën e këmbët, ja u thej”. Shala ka akuzuar Ademin për abuzim të pushtetit dhe për shkelje të rregulloreve të Federatës.
Në lidhje me këtë çështje, Sadiku ka kritikuar ashpër veprimet e Agim Ademit, duke theksuar se këto veprime janë jashtë çdo norme dhe se nuk përputhen me standardet e menaxhimit të sportit. Ai ka vënë në dukje se nuk ka dëgjuar ndonjëherë që një kryetar federate të përdorë kërcënime të tilla ndaj sportistëve, duke përmendur se ky është një rast që i ngjan më shumë situatave të raportuara në Serbi sesa në një federatë sportive normale, shkruan Nacionale.
Për më tepër, Sadiku ka kritikuar Federatën për mënyrën e trajtimit të rastit, duke theksuar se vendimi për përjashtimin e futbollistëve është marrë njëanshëm dhe është në kundërshtim me rregulloret e federatës, që parashikojnë që një Komision Disiplinor të jetë përgjegjës për këto çështje. Ai ka theksuar se këto masa dhe kërcënime përbëjnë një shkelje serioze të standardeve dhe etikës sportive dhe kërkon një hetim të thelluar mbi këtë çështje./UBTNews/