Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneralmajor Ferdinant Dimo.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy forcave, me fokus të veçantë në arsimimin dhe edukimin ushtarak, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe mundësitë për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Jashari ka vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit të aktiviteteve në fushën e edukimit dhe trajnimit ushtarak, si dhe të shkëmbimit të përvojave për zhvillimin e aftësive profesionale të personelit ushtarak.
Në përfundim të takimit, të dy gjeneralët kanë riafirmuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve ushtarake. /E.A/
