Duket se Ardon Jashari po i pret dy ndeshjet e fundit me fanellën e Luzernit dhe pastaj mund të largohet tek ndonjë skuadër tjetër jashtë Zvicrës.
Në dy ndeshjet e mbetura të sezonit ai dëshiron të tregojë sërish të gjitha aftësitë e tij dhe pas kësaj, pavarësisht kontratës deri në vitin 2026, shenjat janë se do të ketë një lamtumirë. Në Luzern, të gjithë presin që Jashari të largohet.
“Duhet të jemi realistë”, tha së fundmi trajneri Mario Frick. Deri në janar 2022, Jashari kishte 28 minuta lojë me ekipin e parë. Ai tani është një lojtar i rregullt dhe kapiten i padiskutueshëm i skuadrës, si dhe një lojtar i ekipit kombëtar dhe pjesë e Kupës së Botës. Si rezultat, vlera e tij në treg ka shkuar në 6 milionë franga.
Është logjike që disa klube nga vende të ndryshme janë informuar për talentin e Lucernit në muajt e fundit. Aty përfshihen skuadra si Porto, RB Leipzig dhe Atalanta, andaj e ardhmja e tij është ende e hapur. Megjithatë, një transferim jashtë vendit konsiderohet më i mundshëm sesa një ndryshim brenda kampionatit zviceran.
Vetë Jashari nuk ka dashur të flas shumë për të ardhmen e tij. Ditë më parë ai tha se janë tre faktorë të rëndësishëm për të përpara se të ndërmarrë hapin tjetër: “Klubi, projekti dhe koha”.