Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Kulturës, Shkencës (SBAShK) do të respektojë çfarëdo vendimi që do të marrin institucionet vendit, për fillimi apo shtyrjen e vitit të ri shkollor.
Kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online i pari i SBAShK-ut, Rahman Jasharaj.
Jasharaj madje ka një kërkesë për Qeverinë e vendit, që të tregoj nëse ka shtyrje apo jo të vitit të ri shkollor.
“Nëse e lexojmë drejt deklarimin për medie të ministres Arbërie Nagavci, mbetet të kuptohet se ka gjasa që të shtyhet viti i ti shkollor, dhe unë jam i autorizuar të përsërisë atë qëllimin që ka SBAShK-u”.
“…ne do të respektojmë çdo vendim që sjellin institucionet përgjegjëse dhe besoj që qeveria e Kosovës do të duhej dashur për këto çështje të mëdha që janë të përfshirë shumë njerëz që vendimet të jenë të prera, dhe do të duhej që sot që qeveria të mbaj një mbledhje dhe të tregoj se a do të ketë shtyrje apo do të fillojë viti i ri shkollor”.
E nëse vetëm merret vendim që mësimi të fillojë të hënën me 13 shtator, ai shpreh shqetësimin që nuk është bërë asnjë zgjidhje për shtatzënat.
“Nëse kthehemi në shkollë nuk është bërë asnjë zgjidhje për koleget shtatzëna ngase e dimë që ato në sektorin publik duhet të lirohen, por duhet të ju krijohet mundësi që të punojnë nga shtëpia”.
Ndërsa sa i përket vaksinimit, Jasharaj tha se janë vaksinuar mbi 90% e mësimdhënësve.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar që masat anti-Covid të vazhdojnë të jenë në fuqi edhe për një kohë derisa të bie numri i rasteve të reja.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se beson që fillimi i vitit të ri shkollor do të shtyhet edhe për pak kohë.