Siç raporton BBC, i dërguari i Presidentit të SHBA-së Donald Trump për Lindjen e Mesme, Jared Kushner, ka arritur në Izrael, ku pritet të takohet me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Takimi vjen pasi Kushner zhvilloi biseda të rralla me Hamas-in për të diskutuar zbatimin e planit të paqes për Gazën të mbështetur nga SHBA-ja.
Muajin e kaluar, Bordi i Paqes i Trump-it njoftoi se kishte arritur marrëveshje për “çarmatimin e plotë” të Hamas-it dhe grupeve të tjera të armatosura në Gazë. Sidoqoftë, javën e kaluar Izraeli e hodhi poshtë planin prej 15 pikash të Trump-it, i cili po ashtu kërkon tërheqjen e trupave izraelite dhe rindërtimin e Gazës nën një administratë të re civile palestineze. Tetë vende myslimane publikuan të dielën një deklaratë ku dënojnë refuzimin nga ana e Izraelit.
Trump udhëheq Bordin e Paqes, i cili u krijua si një organizatë ndërkombëtare fillimisht për të sjellë paqe në Gazë, por që më vonë u zgjerua për të përfshirë konfliktet në mbarë botën. Sipas BBC, një zyrtar palestinez tha se dhëndri i Trump-it u takua të dielën në Egjipt me një delegacion të udhëhequr nga lideri i ri i Hamas-it, Khalil al-Hayya. Në një deklaratë të mëvonshme, Hamas u bëri thirrje ndërmjetësve dhe Bordit të Paqes që ta “detyrojnë” Izraelin të miratojë planin e veprimit për hapat e ardhshëm.
Nga ana tjetër, Netanyahu përballet me zgjedhje të vështira për të mbajtur pushtetin, me një koalicion që përfshin ministra të cilët favorizojnë një linjë më të ashpër ndaj Gazës. Shumë izraelitë janë po ashtu skeptikë se Hamas është i gatshëm të çarmatoset.
Takimi i Kushner me Hayya thuhet të jetë i pari i këtij niveli që nga marrëveshja e armëpushimit për Rripin e Gazës e arritur vitin e kaluar. Në takim raportohet se morën pjesë edhe të dërguarit e Bordit të Paqes, Nickolay Mladenov dhe ish-Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair, së bashku me përfaqësues të Egjiptit, Katarit dhe Turqisë. Megjithëse nuk ka pasur një deklaratë zyrtare, bisedimet raportohet se u përqendruan në veprime konkrete për çarmatimin e Hamas-it, tërheqjen e trupave izraelite dhe përpjekjet humanitare.
Gjatë qëndrimit në Egjipt, Kushner u takua gjithashtu me Presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi. Sipas medieve izraelite, Mladenov dhe Blair do të takohen po ashtu me Netanyahu-n me qëllim që të çojnë përpara planin e Trump-it. Kryeministri izraelit ka deklaruar se kërkon fillimisht çarmatimin e plotë të Hamas-it për të zbatuar marrëveshjen, duke theksuar se ushtria izraelite nuk do të kryejë asnjë tërheqje pa u çarmatosur realisht Hamas-i.
Netanyahu përballet me presion brenda kabinetit të tij për të vazhduar operacionet. Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, e cilësoi draftin si “të papranueshëm” dhe u shpreh favorizues ndaj “vrasjeve të targetuara”.
Pas refuzimit të planit nga Izraeli, pati një pauzë në sulmet ajrore izraelite në Gazë, megjithëse sulmet kanë vazhduar më pas. Armëpushimi që hyri në fuqi më 10 tetor të vitit të kaluar mbetet zyrtarisht në fuqi, por ushtria izraelite ka kryer sulme pothuajse çdo ditë. Më shumë se 1,200 persona janë vrarë që nga fillimi i armëpushimit sipas Ministrisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga Hamas, shifra këto që konsiderohen të besueshme nga OKB-ja, ndërsa Unicef raporton se të paktën 300 fëmijë kanë humbur jetën. /BBC/
