Japonia dhe Suedia kanë siguruar kualifikimin në fazën e nokautit të Kupës së Botës, pasi barazuan 1:1 në ndeshjen e fundit të Grupit F.
Takimi, i zhvilluar të premten në Arlington para rreth 70 mijë shikuesve, ishte vendimtar për renditjen përfundimtare të grupit. Japonia kaloi në epërsi në minutën e 56-të me golin e Daizen Maedës, ndërsa Suedia reagoi shpejt dhe barazoi gjashtë minuta më vonë, kur Anthony Elanga realizoi për 1:1.
Japonia e mbylli fazën e grupeve pa humbje, duke grumbulluar pesë pikë dhe duke siguruar vendin e dytë në grup. Ndërkohë, Suedia, që në kualifikime kishte përfunduar pas Kosovës, avancoi nga pozita e tretë me katër pikë.
Në fazën e nokautit kualifikohen tetë përfaqësueset më të mira të vendeve të treta nga 12 grupet e turneut, ndërsa Suedia ishte njëra prej tyre.
Për Japoninë, ky është kualifikimi i tretë radhazi nga faza e grupeve dhe i pesti në shtatë pjesëmarrje në Kupën e Botës.
Edhe Suedia vazhdon serinë pozitive, pasi ka kaluar fazën e grupeve në secilin prej katër edicioneve të fundit në të cilat është kualifikuar.
D.L
Foto: aljazeera
