Në oborrin e Katedrales së Winchester-it është inauguruar një statujë e re e shkrimtares së njohur britanike Jane Austen, për të shënuar 250-vjetorin e lindjes së saj.
Ceremonia përurimore u mbajt pas një shërbese solemne në katedrale dhe statuja u zbulua nga Nigel Atkinson, lord i Hampshire.
Vepra është realizuar nga skulptori Martin Jennings, i cili po punon gjithashtu për skulpturën e mbretëreshës Elizabeth II, që do të vendoset në memorialin kombëtar në Londër.
Jennings e ka paraqitur Jane Austen në madhësi reale, rreth 1.7 metra të lartë, duke synuar ta paraqesë si figurë të fuqishme dhe elegante, me tiparet e saj të njohura dhe tryezën e shkrimit pranë.
“Varri i Jane Austen është një vend i dashur për shumë njerëz, por nuk i bën plotësisht nder vizionit të saj moral dhe trashëgimisë së saj letrare. Kjo statujë synon ta përfaqësojë atë në mënyrën më dinjitoze,” u shpreh lordi Atkinson gjatë ceremonisë.
Gjatë shërbesës, aktorët Joanna David, Susannah Harker dhe Adrian Lukis të njohur për rolet e tyre në adaptimin televiziv të BBC-së të vitit 1995 të romanit “Pride and Prejudice” – lexuan pjesë të zgjedhura nga vepra.
Jane Austen lindi më 16 dhjetor 1775 në Steventon, Hampshire, ku i ati shërbente si famullitar. Pas vdekjes së tij në vitin 1805, ajo u zhvendos në Chawton, ku shkroi disa nga veprat e saj më të njohura, përfshirë “Emma” dhe “Sense and Sensibility”.
Shkrimtarja ndërroi jetë në Winchester në vitin 1817, ku edhe prehet sot. /A.Z/UBT News/