Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, i është kundërpërgjigjur Ardian Kastratit të PDK-së, i cili para pak ditësh në Kuvend kishte ironizuar me një pohim të tij se në Kosovë mund të lëshohet raketë dhe për çfarë edhe kishte argumentuar se si mund të ndodhë.
Në Kuvend kastrati kishte pasur të veshur edhe një bluze, në të cilën shihej e shtypur një figurë rakete.
“Në seancën e kaluar, një zotëri i veshur si dordolec me disa lara primitive që i kishte vendosur në tula të kraharorit të tij, tallej e lazdrohej me disa metafora, duke lakuar edhe emrin tim”, deklaroi Kokaj. “Ky zotëri dhe kolegët e tij militantë të shumë mediave, po te kishin kryer vetëm shkollën fillore, e lëre më të mesme, do të kuptonin se ç’është shpejtësia parakozmike. E do të kuptonin numrin 7.9 kilometra në sekondë, pra e përsëris 7.9 kilometra në sekondë, meqenëse atyre rosakëve duhet t’iu përsëritet shumë herë që ta mësojnë një herë e përgjithmonë”.
“Dhe më kujtohet që përsëritje të tilla bënte një zonjë e nderuar, Dane, njëfarë defatore. Puna e defit e tupanit kanë zhurmë të madhe por brendësi boshe. Këta kanë një ngjashmëri të madhe sikur ajo zonja, kanë disa hall halle atje, dhe do zhingla në tula të kraharorit, e për ta po e përmendi një poezi të zonjës së nderuar: “Fëmijë a e keni ndi këto ditë çka ka ndodhë? Ish hap pa mahi për rosën ni shkollë. Plot tri ditë ulun nuk mësuen kurgja veç dijshin me bo ga-ga-ga”.
“Pra nuk mësojnë 7.9 kilometra në sekondë, por vetëm ga-ga-ga”.
“Për zotërinë që e shfrytëzoi mungesën time në Kuvend herën e kaluar, i them se nëse vazhdon të shpurdhish prap, atëherë umin e pllugit do ta lëshoj në nivel shkencor, e atëherë do të turpërohesh me muhalifet e tua shkencore”, u shpreh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj sot gjatë fjalimit të tij në Kuvend të Kosovës.
Ky reagim i tij shkaktoi të qeshura tek kolegët e tij partiakë, sidomos te kryeministrit Albin Kurti, i cili dallohej duke qeshur i ulur prapa foltores.
Fjalimi i Kokës, ka detyruar Konjufcën që t’ia tërheqë vërejtjen për fjalorin.