UBT News

Izraeli shkatërron 16 shtëpi të palestinezëve në Bregun Perëndimor

Ushtria izraelite shkatërroi 16 shtëpi që u përkasin palestinezëve në kampin e refugjatëve Tulkarm, në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Që nga 21 janari ushtria izraelite vazhdon sulmet e saj në pjesën veriore të Bregut Perëndimor ndërsa buldozerët e ushtrisë izraelite kanë filluar të shkatërrojnë shtëpitë palestineze në kampin e refugjatëve Tulkarm.

Ky përshkruhet si “operacioni më i madh i shkatërrimit” i ushtrisë izraelite që kur ajo nisi ofensivën e saj në veri të Bregut Perëndimor. Ushtarët izraelitë janë pozicionuar në shumë lagje të kampit të refugjatëve Tulkarm ndërsa herë pas here në zonë dëgjohen të shtëna armësh.

Kryetari i Komitetit Popullor të Kampit të Refugjatëve Tulkarm, Faisal Selame tha për AA-në se autoritetet izraelite njoftuan se do të prishin 16 shtëpi në kampin e refugjatëve Tulkarm. Ushtria izraelite që nga 21 janari vazhdon sulmet e saj ndaj qyteteve dhe kampeve në Bregun Perëndimor verior, veçanërisht në qytetin e Jenin dhe kampit të refugjatëve.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, 56 palestinezë janë vrarë në sulmet e ushtrisë izraelite në veri të Bregut Perëndimor. Në sulmet ku janë shpërngulur mijëra palestinezë, janë shkatërruar shtëpi dhe prona palestineze si dhe infrastruktura në zonë.

Që nga 7 tetori 2023, në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe izraelitëve që kanë uzurpuar tokat palestineze në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar, janë vrarë 917 palestinezë, përfshirë 167 fëmijë ndërsa 7.000 të tjerë janë plagosur.

Exit mobile version