UBT News

Izraeli riorganizon përfaqësimin diplomatik në Kosovë: Mbulimi nga ambasadori jorezident bartet te ambasadat në vendet fqinje

Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit ka vendosur të ndryshojë mënyrën e përfaqësimit diplomatik në Kosovë, në kuadër të një riorganizimi të brendshëm që synon transferimin e mbulimit të vendeve pa seli fizike te ambasadat ekzistuese në shtetet fqinje, raporton Periskopi bazuar në një përgjigje zyrtare të përfaqësisë diplomatike izraelite.

Sipas deklaratës zyrtare të palës izraelite, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në shkurt të vitit 2021 — si rezultat i marrëveshjes së Uashingtonit të vi tit 2020 — Izraeli nuk ka pasur ambasadë fizike në Prishtinë, por është përfaqësuar përmes një ambasadori jorezident që vizitonte Kosovën çdo disa muaj.

Me vendimin e ri organizativ, ky model po ndryshon për të mundësuar një afërsi më të madhe diplomatike me vendin. “Si pjesë e një ndryshimi organizativ në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit, është vendosur që përfaqësimi i vendeve nga ambasadorët jorezidentë të transferohet te ambasadat fizike në vendet fqinje, për të mundësuar një afërsi më të madhe me vendin përkatës”, thuhet në përgjigjen e përfaqësisë izraelite.

Nga selia diplomatike izraelite kanë bërë të ditur se e njëjta praktikë është zbatuar së fundmi edhe për Maqedoninë e Veriut dhe Maltën. Megjithatë, ndonëse konfirmohet bartja e përfaqësimit te një ambasadë në rajon, në përgjigjen zyrtare nuk është specifikuar ende shprehimisht nëse mbulimin diplomatik të Kosovës do ta marrë përsipër Ambasada e Izraelit në Tiranë.

Exit mobile version