UBT News

Izraeli nis sulmin kundër Iranit, shpall gjendje të jashtëzakonshme në vend

Izraeli nisi atë që e quajti një “sulm parandalues” kundër Iranit të shtunën në mëngjes, sipas Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Një burim izraelit i tha CNN se sulmi ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara.

Sulmi vjen pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump kaloi javë duke kërcënuar se do ta godiste Iranin për programin e tij bërthamor , si dhe një shtypje të brendshme që ka vrarë mijëra protestues.

Izraeli mbylli hapësirën ajrore të shtunën në mëngjes, tha Ministria e Transportit, pasi vendi kreu sulme ajrore ndaj Iranit, shkruan CNN.

Ende nuk është e qartë se si do të reagojë Irani. Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar më parë se trupat amerikane në rajon mund të jenë në shënjestër nëse sulmohet.

MPJD apel urgjent qytetarëve të Kosovës në Izrael

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka lëshuar një njoftim për qytetarët e Republikës së Kosovës që aktualisht ndodhen në Izrael, në vazhdën e situatës së jashtëzakonshme në këtë shtet.

MPJD u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë vigjilencë të shtuar, të ndjekin me kujdes njoftimet zyrtare dhe të zbatojnë udhëzimet e sigurisë të autoriteteve vendore.

Sipas njoftimit, Ministria, në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Izrael, po monitoron nga afër zhvillimet aktuale dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse vendase.

Autoritetet bëjnë të ditur se Ambasada e Kosovës në Izrael është plotësisht në dispozicion të qytetarëve kosovarë që ndodhen atje.

Për çdo rast urgjent, qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen në Izrael mund të kontaktojnë në numrin:

? +972 586 340450

Nga MPJD theksohet se ky numër emergjence duhet të përdoret vetëm nga qytetarët që aktualisht ndodhen në Izrael dhe nuk është i dedikuar për kërkesa nga mediat./Kosovapress/

Exit mobile version