UBT News

​Izraeli kundërshton rezolutën për “pauza dhe korridore të zgjatura humanitare” në Gaza

Ministria e Jashtme izraelite hodhi poshtë rezolutën e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mërkurën, përmes së cilës kërkohen “pauza dhe korridore të zgjatura humanitare” në Gaza.

Në një deklaratë të cituar nga gazeta Haaretz, ministria tha se “nuk ka vend për pauza të zgjatura humanitare” për sa kohë që pengjet mbahen nga grupi palestinez Hamas.

I dërguari i Izraelit në OKB, Gilad Erdan, tha se rezoluta është “e shkëputur nga realiteti”, pasi ajo nuk dënon Hamasin për sulmin e nisur kundër Izraelit më 7 tetor, shkruan AA.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi të mërkurën një projekt-rezolutë që bën thirrje për “pauza dhe korridore urgjente dhe të zgjatura humanitare” në të gjithë Gazën.

Dymbëdhjetë vende votuan në favor të rezolutës së kryesuar nga Malta, ndërsa SHBA, Britania e Madhe dhe Rusia abstenuan nga votimi.

Rezoluta gjithashtu bën thirrje për lirimin e të gjithë pengjeve që mbahen nga Hamasi dhe grupet e tjera, veçanërisht fëmijët.

Izraeli ka nisur sulme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor.

Zyra qeveritare për media në Gaza njoftoi të mërkurën se numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori është rritur në 11 mijë e 500, nga ta 4 mijë e 710 fëmijë dhe 3 mijë e 160 gra.

“Numri i vdekjeve në mesin e personelit mjekësor ka arritur në 200”, tha zyra në një deklaratë në Telegram.

Më tej thuhet se janë vrarë edhe 22 pjesëtarë të mbrojtjes civile dhe 51 gazetarë, ndërsa numri i të lënduarve ka arritur në 29 mijë e 800, me rreth 70% gra dhe fëmijë.

Mijëra ndërtesa, duke përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar që nga muaji i kaluar.

Ndërkohë, numri i të vdekurve izraelitë është rreth 1 mijë e 200, sipas shifrave zyrtare.

Exit mobile version