Tre raketa u hodhën nga Libani në territorin izraelit të mërkurën dhe ushtria e Izraelit u përgjigj me zjarr artilerie pandërprerë, tha ushtria izraelite.
Ende nuk është raportuar për dëme apo viktima, njofton Klan Kosova.
Njoftimi erdhi pasi sirenat u dëgjuan në Izraelin verior duke paralajmëruar për një sulm të mundshëm raketash nga Libani.
Dy raketa ranë brenda territorit izraelit, tha ushtria, duke shtuar se ajo gjuajti drejt Libanit.
Mediumi “Kanal 12” raportoi se një raketë shpërtheu në një zonë të hapur dhe një tjetër u kap nga sistemi mbrojtës i Izraelit, i cili njihet si Kupola e Hekurt.
Një zyrtar i ushtrisë libaneze tha se ushtria nuk kishte asnjë koment dhe se është në pritje të hetimeve.
Zyrtarë të tjerë libanezë të sigurisë nuk u përgjigjën për The Associated Press.
Megjithatë, disa dëshmitarë në zonën kufitare në jug të Libanit thanë se dy raketa ranë në një komunitet izraelit përtej kufirit, të pasuara nga predha të shumta artilerie të lëshuara nga Izraeli.
Predhat izraelite ranë në një zonë midis fshatrave libanezë të Marjayoun dhe Khiam, thanë ata, duke shtuar se nuk ishte e qartë se nga ishin lëshuar raketat.
Ka pasur disa incidente të ngjashme muajt e fundit.
Sulmi me raketa besohet nga autoritetet izraelite të jetë nisur nga grupet palestineze me bazë në Liban dhe jo grupi Hezbollah.