UBT News

Izraeli godet 70 objektiva të Hezbollahut, pritet bisedë mes Netanyahut dhe presidentit libanez

Ushtria izraelite ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme ka shkatërruar rreth 70 objekte të Hezbollahut në rajonin Bint Jbeil në jug të Libanit, veprim ky që pason deklaratën e kryeministrit Benjamin Netanyahu se Izraeli është pranë eliminimit të një baze të rëndësishme të grupit në këtë zonë, raporton BBC.

Përveç operacioneve tokësore, Forcat Mbrojtëse të Izraelit bënë të ditur se marina e tyre ka ndalur me sukses një sulm me dron të lëshuar nga Libani gjatë natës, duke e çuar në rreth 40 numrin e operacioneve mbrojtëse ajrore të realizuara nga ekipet detare që nga fillimi i konfliktit.

Paralelisht me zhvillimet ushtarake, anëtarja e kabinetit izraelit të sigurisë, Galia Gamliel, ka deklaruar për radion e ushtrisë se kryeministri Netanyahu pritet të bisedojë sot me presidentin e Libanit, Joseph Aoun.

Ky njoftim vjen pas një postimi të presidentit amerikan Donald Trump në rrjetet sociale, ku paralajmërohej një kontakt mes udhëheqësve të të dyja vendeve, ndonëse zyrtarë nga zyra presidenciale e Libanit i kishin thënë paraprakisht BBC-së se nuk ishin në dijeni për ndonjë komunikim të planifikuar me palën izraelite./BBC/

Exit mobile version