Ministrat e jashtëm të Izraelit dhe Marokut nënshkruan tri marrëveshje. të cilat pasojnë normalizimin e raporteve mes dy vendeve vitin e kaluar.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid po qëndron në Marok dhe me homologun i tij, Nasser Bourita nënshkruan marrëveshje për konsultimet politike, aviacionin dhe kulturën.
“Marrëveshjet do t’iu sjellin vendeve tonë mundësi për të mirën e fëmijëve tanë”, tha ministri Lapid.
Izraeli dhe Maroku arritën një marrëveshje vitin e kaluar pasi presidenti i atëhershëm amerikan Donald Trump njohu sovranitetin e kontestuar të Marokut në Saharën Perëndimore.
“Sot, ne po rivendosim paqen dhe po rikthejmë miqësinë”, tha Lapid.
Maroku ishte shteti i katërt arab që normalizoi raportet me Izraelin vitin e kaluar pas Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Sudanit.
Të enjten, Lapid do të hapë zyrtarisht përfaqësimin diplomatik të Izraelit në kryeqytetin Rabat.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e quajti vizitën e ministrit izrealit në Marok si “domethënëse për Izraelin, Marokun dhe rajonin”.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Izraelin dhe Marokun për të forcuar të gjitha drejtimet e partneriteteve tona dhe për të krijuar një të ardhme më paqësore, të sigurt dhe të begatë për të gjithë njerëzit e Lindjes së Mesme”, tha Blinken përmes një deklarate./REL