UBT News

Iu hoqën dhjetë pikë, Apeli merr vendimin final për Everton

Dënimi i Evertonit për shkeljen e “Fair Play” financiar të Premier League është ulur nga dhjetë pikë në gjashtë pikë, pas apelit të bërë nga “blutë”.

Klubit anglez iu hoqën dhjetë pikë nga Komisioni i Pavarur i Premier League gjatë muajit nëntor për shkeljen e rregullave të fitimit dhe qëndrueshmërisë për tri sezone radhazi, deri në edicionin 2021-2022.

Dënimi, më i madhi në historinë e Premier League e çoi Evertonin nga vendi 14 në vend të 19-të në tabelë.

Megjithatë me vendimin e marrë sot nga Bordi i Apelit, Everton-it i kthehen 4 pikë, duke u ngjitur në vend të 15-të nga vendi i 17-të që ndodhej, duke parakaluar Nottingham Forest dhe Brentford.

Në reagimin e bërë pas këtij vendimi, Everton thekson se janë të lumtur që ankesa e tyre rezultoi në uljen e sanskionit.

“Everton mund të konfirmojë që Bordi i Apelit ka arritur në përfundimin se zbritja e pikëve e vendosur nga një komision i pavarur i Premier League në nëntor të reduktohet nga 10 pikë në gjashtë pikë, me efekt të menjëhershëm. Ndërsa klubi është ende duke e përpunuar vendimin e Bordit të Apelit, ne jemi të kënaqur që ankesa jonë ka rezultuar në uljen e sanksionit të pikëve. Klubi është ende duke shqyrtuar implikimet më të gjera të vendimit dhe nuk do të bëjë asnjë koment të mëtejshëm në këtë moment, përveçse të falënderojë Bordin tonë Këshillues të Tifozëve”, thuhet në reagimin e Evertonit./UBTNews/

Exit mobile version