Driton Vela është emëruar në Bordin Qendror për Shkollim Specialistik nga Ministria e Shëndetësisë. Ai ndodhi të jetë edhe vëllai i Blerim Velës, që është shef i Stafit të Presidentes Vjosa Osmani.
I emëruari në Bord ka qenë kandidat i LVV-së për deputet në zgjedhjet e 2019-ës. Ndërkaq Blerim Vela, kërkon që emërimi i vëllait të mos lidhet me pozitën që ai bart në Presidencë.
Driton Vela, që në vitin 2019 aderoi në Lëvizjen Vetëvendosje, është bërë pjesë e bordit të Qendror për Shkollim Specialistik. Gazeta Metro ka shkruar të martën për emërimet në këtë bord nga Ministria e Shëndetësisë, duke raportuar se një nga të emëruarit është vëllai i shefit të stafit të Presidentes, Blerim Vela.
Vela i Presidencës këtë e ka konfirmuar në një përgjigje për Gazetën Express, por ka kërkuar që të mos bëhet ndërlidhje mes pozitës së tij dhe emërimit të vëllait në bord. Aty ka treguar se i vëllai, pra Driton Vela, është pjesë e stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë që nga viti 2007.
“Per sa i perket emerimit te Dritonit nga Ministri i Shendetesise si anetar ne bordin per specializim, ju ftoj qe te kontaktoni Ministrine e Shendetesise per me shume detaje pasi qe ky emerim (jo punesim) nuk ka te beje asgje me mua dhe poziten qe mbaj ne Kabinetin e Presidentes. Çdo aludim tjeter i pabaze lidhur me ndikimin tim ne emerimin ne kete bord te vellaut tim e konsideroj si raportim te pavertete dhe per rrjedhoje do te detyrohem te incioj padi per shpifje dhe demtim te reputacionit”, thotë Vela në përgjigjen e tij përmes email adresës së tij.
Për vlerat profesionale, që i ka Driton Vela, kishte shkruar edhe Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2019, kur ai u bë pjesë e kësaj partie dhe garoi për ulëse të Kuvendit, por mblodhi 954 vota.
“Tash jemi edhe më të fortë e më të përgatitur. Ai është asistent në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës dhe specialist i mjekësisë interne”, shkruante ndër të tjera në postimin e Vetëvendosjes.
Në atë kohë edhe Blerim Vela kishte ndërruar kahje politike, pasi ishte këshilltar i Enver Hoxhajt të PDK-së, sa ky ishte ministër i Jashtëm. Vela më vonë shkruante për të zezat e qeverisjes së PAN-it (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate), gjersa familjarisht dhe publikisht ishin afruar më VV-në.