Kampionatet janë ndalur, por jo futbolli në ekranin e Supersport, ku do të vijnë ekskluzivisht disa nga sfidat më interesante të eliminatoreve të Katar 2022, teksa gjithçka do të startojë në orën 18:00 me përballjen Angli-Andorrë.
“Tre luanët” vrapojnë drejt sigurimit të një bilete për në Botërorin e Katarit, pasi kanë fituar të katër ndeshjet e luajtura deri tani dhe kryesojnë me meritë grupin, me 12 pikë të plota, ndërsa pasditen e sotme pritet të korrin një tjetër sukses, që do t’i çonte edhe më pranë objektivit.
Në mbrëmje vëmendja do të jetë në “St. Jacob’s Park” të Bazelit, ku Zvicra vendase do të presë Italinë, në një ndeshje mjaft interesante, pasi të dy skuadrat duan të sigurojnë kualifikimin direkt dhe momentalisht helvetët e shohin veten disi të avantazhuar, pasi kanë fituar të dy sfidat e zhvilluara.
Murat Yakin do të debutojë në pankinën e helvetëve, që do të duhet të bëjnë pa lojtarë si Xhaka, Shaqiri, Embolo, Freuler e Gavranovic, ndërsa përballë do të kenë Kampionët në futi të Europës, të cilët nga ana tjetër nuk do të aktivizojnë dot mesfushorin Verratti për shkak të një dëmtimi.
Spanjë-Gjeorgji dhe Gjermani-Armeni do të jenë dy sfidat e tjera të mbrëmjes, me vendasit që janë jo vetëm favoritë për të fituar, por edhe të dënuar të marrin tre pikët, për të mos rrezikuar mbetjen jashtë kompeticionit më të madh të globit, Kupës së Botës.