Shumë qeveri në Evropë po targetojnë ata qytetarë të cilët për arsye nga më të ndryshme refuzojnë të vaksinohen.
Nga kjo javë në Itali hyn në fuqi ‘Super Green Pass’, e cila vërteton nëse je vaksinuar apo shëruar nga COVID. Ajo është dokumenti i domosdoshëm, i cili të lejon të hysh në bare dhe restorante e madje e në ambientet e jashtme. ‘Super Green Pass’ duhet edhe për të udhëtuar. Nuk vlen me te kesh një test negativ.
“Të pavaksinuarit kanë një mundësi më të madhe të sëmuren më rëndë. Një nga arsyet e kësaj konference është që të inkurajoj të gjithë italianët të cilët nuk janë vaksinuar, të shkojnë e të vaksinohen”, u shpreh Mario Draghi, kryeministri italian.
Edhe Rumania ka vendosur të forcojë kufizimet, por këtë herë ka në objektiv zonat më të rrezikuara nga covid. Qyteti veriperëndimor Cluj Napoca klasifikohet një zonë e kuqe për shkak të infektimeve të larta.
Hapësira publike sikundër restorantet, palestrat, eventet sportive do të funksionojnë në me vetëm 30% të kapacitetit.
Këto masa do të jenë në fuqi për të paktën dy javë.
Në Islandë, qendra në Reykjavik ka nisur të vaksinojë edhe fëmijët.
“Kishim diskutime. Vëllai i tyre është vaksinuar tashmë, është më i madh e kishim shumë debate. Për mua, për ta, nuk kishte kuptim të mos vaksinoheshim”, tha Arni Sigurdur Ingason.
Edhe në Suedi forcohen masat, rikthehet detyrimi për të punuar nga shtëpia. Shkak është bërë rritja e të infektuarve dhe situata në spitale.
Reduktohet numri i personave në hapësirat publike dhe restorantet duhet të mbyllen në orën 23:00. Masat do të jenë në fuqi për dy javë.