Gjyqtari ndërkombëtar nga Kosova, Istref Elezaj, vijon të shfaqet në nivelet më të larta të volejbollit evropian, duke marrë pjesë në ndeshje të rëndësishme të kupave kontinentale.
Mbrëmë, Elezaj ishte refer i dytë në gjysmëfinalen e meshkujve në CEV Challenge Cup, në përballjen mes Altekma SK Izmir (Turqi) dhe Allianz Milano (Itali). Ndeshja përfundoi me fitoren 1-3 të skuadrës italiane, e cila siguroi kualifikimin në finalen e këtij kompeticioni.
Takimi u zhvillua me përdorimin e Challenge System, një teknologji e standardizuar në nivelet më të larta të volejbollit evropian. Madje, edhe pika e fundit e ndeshjes u vendos përmes këtij sistemi, duke e bërë arbitrazhin më profesional dhe sfidues për gjyqtarët e përzgjedhur në këtë nivel.
Për performancën e tij në këtë takim, Elezaj mori vlerësim të lartë, duke vazhduar serinë e delegimeve në ndeshjet më të rëndësishme të garave evropiane.
Ky është një tjetër dëshmi e besimit që strukturat e volejbollit evropian i japin referimit kosovar, duke i besuar një ndeshjeje vendimtare të fazës finale pikërisht gjyqtarit tonë, Istref Elezaj.
Në këtë mënyrë, arbitrazhi kosovar vazhdon të konsolidojë emrin e tij në skenën ndërkombëtare të volejbollit.
