UBT News

Ismail Kadare, në kujtim të 89-vjetorit: Begaj nderon veprën e shkrimtarit të njohur botëror!

Presidenti Bajram Begaj vlerësoi sot veprën e shkrimtarit Ismail Kadare si një dëshmi për lashtësinë e shqiptarëve dhe identitetin evropian.

Në një mesazh për 89-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar, Presidenti Begaj u shpreh se: “Kadare do të jetojë për t’i treguar botës mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, dramën historike, krenarinë dhe vitalitetin e kombit tonë”.

“Sot, në datëlindjen e parë të Ismail Kadaresë pas ndarjes së tij nga jeta, ne ndihemi krenarë që gjeniu shqiptar i letrave ka zënë një vend të nderuar në panteonin e letërsisë dhe kulturës botërore. Me prozën dhe poezinë e tij, ai i prezantoi botës autenticitetin dhe lashtësinë e ekzistencës sonë kombëtare”, theksoi Begaj.

Presidenti Begaj vlerësoi gjithashtu se “Kadare dëshmoi në çdo faqe të veprave të tij forcën titanike, sakrificat dhe përkushtimin e popullit tonë për të qenë pjesë e kulturës evropiane dhe botës progresiste. Për aq kohë sa lexuesit në mbarë botën do të vijojnë të lexojnë librat e tij, Kadare do të jetojë për t’i treguar botës mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, dramën historike, krenarinë dhe vitalitetin e kombit tonë”.

Ismail Kadare, shkrimtari i njohur dhe vepra e të cilit është bërë pjesë e letërsisë botërore, lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Pasionin për letërsinë e zhvilloi që në moshë të re, dhe që nga atëherë veprat e tij kanë lënë një ndikim të jashtëzakonshëm në kulturën ndërkombëtare. Kadare është vlerësuar me çmime prestigjioze ndërkombëtare, duke përfshirë “Man Booker Prize” dhe “Princi i Asturias”, dhe është përfshirë në radhët e shkrimtarëve të njohur botërisht, si Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.

Gjatë karrierës së tij, Kadare ka marrë një sërë nderimesh, përfshirë dekoratat më të larta të Shqipërisë, si “Nderi i Kombit”, dhe çmime nga shtete të tjera, përfshirë “Kryqi i Legjionit të Nderit” dhe “Oficer i Legjionit të Nderit” nga shteti francez, si dhe çmimin “Princi i Asturias” nga mbreti i Spanjës.

Ismail Kadare, një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare dhe botërore, u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare më 1 korrik 2024, por do të vazhdojë të jetojë përmes veprave të tij të pavdekshme./UBTNews/

Exit mobile version