UBT News

Islami: Personat që s’i njohin paratë bien pre e falsifikuesve

Paratë e falsifikuara në tregun e Kosovës çdo ditë e më shumë po shtohen, duke bërë që pre e kartëmonedhave false të bien persona të cilët nuk e njohin dhe nuk e identifikojnë atë, raporton Ekonomia Online.

Kjo dukuri për ekspertin e sigurisë, Avni Islami nuk mund të shihet si faktor destabilizues në fushën e ekonomisë.

Islami për Ekonomia Online ka thënë se pika e parë ku duhet të fillojnë hetimet janë kur ato të bien në duart e qytetarëve, e më pastaj të zgjerohet hetimi.

“Falsifikimi i kartëmonedhave nuk është diçka e re. Jo vetëm në vendin tonë por edhe në vendet e tjera është problematikë, por që për fat të mirë në momentin kur bëhet lëshimi i kartëmonedhave të falsifikuara, logjistika dhe inteligjenca e bëjnë të mundur që të identifikohen ato. Nuk shohë ndonjë destabilizim në fushën ekonomike për shkak që lëshohen disa kartëmonedha sepse ato identifikohen shpejtë dhe nuk mendoj që është ndonjë problem i madh, për shkak që të gjithë janë të interesuar që mos të ketë qarkullim të atyre monedhave dhe të mos dëmtohet konsumatori, qytetari dhe bankat”, tha Islami.

“Zakonisht pre e kartëmonedhave false bien persona të cilët nuk e njohin dhe nuk e identifikojnë atë, pra qytetarët shumë shpejt mund të bien deri tek kartëmonedha false dhe ajo është pika e parë ku duhet të fillojnë hetimet dhe pastaj të vazhdojë tutje. Nuk duhet të shqetësohen qytetarët pse mund të bien viktimë e një kartëmonedhe false por uroj që kartëmonedha të jetë e vogël e jo 200 euro apo 500 euro të cilat zakonisht bëhen më rrallë. Edhe qytetari i rëndomtë mund ta identifikojë kartëmonedhën përmes formave të ndryshme, se a është false apo jo sepse dihen kartëmonedhat false , ku janë disa pjesë të strukturuara brenda kartëmonedhës që nuk mund të bëhen për shkak të materialit dhe densitetit që duket brenda kartëmonedhës”, ka thënë Islami për EO.

Ai shtoi se falë avancimit të teknologjisë dhe kamerave të sigurisë shumë shpejt identifikohen dhe eliminohen e pastaj fillon ndjekja e personave të cilët i kanë lëshuar para të tilla.

“Në momentin kur paratë identifikohen e sidomos kur vinë deri tek banka që bënë mbledhjen e tyre, shumë shpejt identifikohen dhe eliminohen pastaj fillon ndjekja e personave të cilët i kanë lëshuar ose përdorur çoftë me qëllim apo pa qëllim, ku njerëzit mund të bien në lajthitje me ato kartëmonedha, por që duke iu falënderuar kompjuterëve e kamerave të sigurisë në atë drejtim organet e sigurisë në shumicën e rasteve dhe shumë shpejt bëhet identifikimi i atyre që e kanë keqpërdor monedhën false”, tha Islami për Ekonomia Online.

Exit mobile version