Sulmuesi i Manchester Cityt, Jack Grealish, ka folur hapur për zhgënjimin e tij të thellë që nuk u thirr nga trajneri i Kombëtares angleze, Gareth Southgate, për Kampionatin Evropian 2024.
Në një sezon ku Grealish nuk arriti të shfaqë formën e zakonshme, Southgate vendosi të mos e përfshinte atë në listën përfundimtare të lojtarëve për Euro 2024. Ky vendim është pritur me trishtim të thellë nga Grealish, i cili e përshkroi këtë situatë si “gjënë më të vështirë me të cilën është përballur deri më tani”.
“Unë do të jem plotësisht i sinqertë tani. Për sa i përket karrierës sime futbollistike, mos thirrja për Euro 2024 ishte gjëja më e vështirë me të cilën jam përballur deri më tani. Unë isha absolutisht i shkatërruar. Tani jam në përmirësim. Më ka dhënë shumë motivim dhe do të bëj gjithçka për ta kthyer në sukses,” deklaroi Grealish.
Kombëtarja angleze, pavarësisht mungesës së Grealish, arriti të kalonte në finalen e madhe të Euro 2024. Në atë ndeshje përfundimtare, Anglia u mund nga Spanja me rezultatin 1:2. Pas përfundimit të turneut, Gareth Southgate, trajneri që kishte udhëhequr ekipin anglez që nga viti 2016, dha dorëheqjen nga posti.
Për Grealish, përjashtimi nga Euro 2024 ka qenë një ngjarje përcaktuese që i ka dhënë një shtysë të fortë për të rifituar formën e tij më të mirë dhe për të provuar se meriton një vend në ekipin kombëtar për sfidat e ardhshme./UBTNews/