Ish-ylli i Manchester United dhe Francës, Patrice Evra tha se ai dëshiron ta shfrytëzojë platformën e tij për trajtuar dhunën ndaj fëmijëve pasi rrëfeu historinë e tij si viktimë e abuzimit seksual kur ishte adoleshent.
Në autobiografinë e tij, “I Love This Game”, Evra flet për abuzimin që ai thotë se e përjetoi kur qëndroi në shtëpinë e një mësuesi për shkak se detyrohej të bënte kilometra rrugë nga shtëpia e tij për të shkuar në shkollë.
Evra, i cili në atë kohë ishte 13 vjeç, thotë se mësuesi hynte në dhomën e tij çdo natë dhe se kujton se mbante pizhamet me lidhëse këpucësh për të ndalur sulmet. Pavarësisht se i tha nënës së tij se nuk donte të qëndronte më në atë shtëpi, Evra thotë se nuk i tregoi familjes për përjetimin deri disa javë para se libri i tij të botohej në vitin 2021.
“Nuk dua që njerëzit të vuajnë si unë”, i tha Evra CNN-it.
“Kur këto gjëra ndodhin, ndihesh i turpëruar për veten, ndihesh fajtor, nuk e di se a do të besojnë njerëzit”, deklaroi ai tutje.
Evra nuk e ka paraqitur rastin në polici dhe thotë se e ka mohuar që rasti ka ndodhur kur u pyet nga policia në moshën 24-vjeçare. Ai vendosi ta ndante eksperiencën e tij vetëm pasi foli me të fejuarën e tij, Margaux Alexandra.
“Kjo është arsyeja pse unë nuk dua që njerëzit të më thonë, ‘Wow, Patrice, jeni kaq i guximshëm. Jeni kaq i guximshëm që po e rrëfeni këtë rast. Nuk bëhet fjalë për këtë. Nuk është se viktimat janë të guximshme. Është momenti kur ndiheni i sigurt dhe besoni. Isha shumë me fat. E takova gruan e jetës sime, Margaux, dhe ajo më ndihmoi ta heq qafe gjithë atë maskulinitet toksik dhe të shprehem”, deklaroi ai tutje.
Tani që ish-mbrojtësi është tërhequr nga karriera si futbollist profesional — ai fitoi pesë tituj të Premierligës dhe Ligën e Kampionëve në vitet 2007/08 kur luante për Manchester United dhe e përfaqësoi Francën 81 herë — ai dëshiron të rrisë ndërgjegjësimin për abuzimin e fëmijëve dhe t’i nxisë qeveritë që të mbështesin ato grupe që përpiqen të ndihmojnë të mbijetuarit.
Të flasësh
Ai ka bashkëpunuar me një organizatë “End Violence”, organizatë kjo që synon të parandalojë të gjitha format e dhunës ndaj fëmijëve. Duke ndarë rrëfimin e tij, Evra shpreson se kjo do t’i ndihmojë të tjerët të flasin rreth këtyre temave të papërshtatshme.
“S’dua ta shtyjë askënd të flasë rreth asaj. Mund të merrni mbështetje sepse është lehtë të flisni, por çka tutje? Mbështetja. Kjo është arsyeja pse kjo do të jetë kauza ime përveç futbollit: Unë kam prioritet: fëmijët, barazinë gjinore, racizmin dhe shëndetin mendor. Të gjitha ato gjëra janë vërtet të rëndësishme për mua”, deklaroi ai më tej.
Që nga pensionimi, Evra ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të përhapur lumturi dhe pozitivitet, por ai kurrë nuk është shmangur nga trajtimi i çështjeve të mëdha.
Në autobiografinë e tij, ai rrëfen edhe për diskriminimin racor që përjetoi si lojtar, veçanërisht si i ri në Itali, ku luajti për Marsala dhe Monza midis viteve 1998 dhe 2000./UBTNews/