Ish-sulmuesi i Ajaxit dhe kombëtares holandeze, Quincy Promes është dënuar me 6 vite heqje lirie, me akuzat për trafikim droge. Futbollisti 32-vjeçar, i cili aktualisht është pjesë e Spartakut të Moskës në Rusi, ka mohuar akuzat dhe ka thënë se do të apelojë vendimin.
Sipas mediave, prokuroria e Amsterdamit kishte mbledhur prova të mjaftueshme që konfirmojnë përfshirjen e sulmuesit holandez në trafikimin e më shumë se një ton kokaine nga porti belg i Antwerpit.
Prokuroria kërkoi 9 vite burg, ndërsa Gjykata vendosi ta dënojë me 6 vite sulmuesin holandez, i cili gjithsesi mund të vazhdojë i qetë karrierën e tij në kampionatin rus me Spartakun e Moskës.
Kjo pasi mes Holandës dhe Rusisë nuk ka një marrëveshje ekstradimi dhe për më tepër, vetë Promes ka nisur edhe procedurat për t’u pajisur me pasaportë ruse./UBTNews/