Në kuadër të lëndës “Psikologji e Edukimit dhe Teoritë e të Mësuarit”, të ligjëruar nga profesoreshat Denis Celcima dhe Diana Sejdiu Shala, studentët e Fakultetit të Psikologjisë në UBT patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë të veçantë nga ish-studentja e UBT-së, Anila Shala, e cila trajtoi temën e orientimit në karrierë.
Gjatë ligjëratës, u diskutua për rëndësinë e orientimit profesional dhe faktorët personalë, socialë dhe mjedisorë që ndikojnë në zgjedhjen e karrierës së individëve. Studentët u njohën me sfidat dhe mundësitë që lidhen me procesin e vendimmarrjes profesionale, si dhe me rolin që kanë institucionet arsimore dhe profesionistët e psikologjisë në këtë proces.
Anila Shala ndau gjithashtu me studentët e vitit të dytë të programit të Psikologjisë gjetjet e hulumtimit të saj të realizuar në bashkëpunim me profesorin Qufli Osmani, i cili fokusohet në orientimin në karrierë të nxënësve në Kosovë. Prezantimi ofroi një pasqyrë të vlefshme mbi faktorët që ndikojnë në zgjedhjet profesionale të të rinjve dhe rëndësinë e mbështetjes profesionale në këtë fazë të zhvillimit të tyre.
Aktualisht, Anila Shala është duke ndjekur studimet master në programin Psikologji Klinike, Sociale dhe Ndërkulturore në Universitetin e Padovës në Itali, duke vazhduar rrugëtimin e saj akademik dhe profesional në një nga universitetet më të njohura evropiane.
