Një burrë do të dalë në gjyq në moshën 100-vjeçare për t’u përballur me plot 3.518 akuza penale, përfshi këtu si bashkëpunëtor në vrasje, pasi ka shërbyer si roje naziste në një prej kampeve të përqendrimit në rrethinat e Berlinit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai pretendohet se ka punuar në kampin Sachsenhausen në vitet 1942-1945 si anëtar i forcave paramilitare të Partisë Naziste.
I moshuari – emri i të cilit nuk është bërë i ditur për shkak të ligjeve gjermane të privatësisë – u konsiderua si i aftë për të dalë në gjyq, pavarësisht moshës së tij.
Gjykata e qytetit Neuroppin konfirmoi të hënën se gjyqi do të nisë në fillim të tetorit.
Autoritetet e morën çështjen në dorë në 2019, pasi iu dorëzua nga zyra e prokurorisë speciale e cila heton krimet e periudhës naziste.
Mediat lokale raportojnë se i pandehuri jeton në Brandenburg, qytet në perëndim të Berlinit.
Kampi Sachsenhausen u hap në 1936, vetëm disa kilometra në veri të kryeqytetit gjerman, dhe ishte kampi i parë që Hitleri i dha kontroll të plotë Gestapos në administrimin e sistemit të kampeve naziste të përqendrimit.
Mbi 200 mijë persona u mbajtën në kampin famëkeq prej viteve 1936 deri në 1945, ku dhjetëra mijëra vdiqën nga uria, sëmundjet, puna e vështirë fizike dhe arsye të tjera, ku përmenden edhe eksperimente të ndryshme mjekësore apo fushata asgjësimi masive përmes varjeve dhe dhomës së gazit./euronews