UBT News

Ish-presidentit Hashim Thaçi i vazhdohet paraburgimi për rastin e pengimit të drejtësisë

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur t’i vazhdojnë masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi, në procesin gjyqësor ku ai akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.

Vendimi është marrë më 30 shtator 2026 nga gjykatësi i vetëm i rastit, Christopher Gosnell, i cili konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet se i akuzuari mund të pengojë ecurinë e procesit apo të kryejë vepra të tjera penale.

Në arsyetimin e saj, gjykata bëri me dije se gjatë marrjes së këtij vendimi ka pasur parasysh edhe shpalljen fajtor dhe dënimin e mëparshëm të Thaçit në çështjen gjyqësore për krime lufte. Sipas njoftimit zyrtar të Speciales, ky dënim nuk e ndryshon nevojën për rishikime periodike të paraburgimit në rastin aktual, i cili vlerësohet në bazë të faktorëve specifikë të kësaj çështjeje.

Gjatë seancës fillestare të mbajtur më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarit e tjerë u deklaruan të pafajshëm për të gjitha akuzat. Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se bëhet fjalë për veprime të koordinuara në grup me qëllim pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Ndaj ish-presidentit Thaçi në këtë çështje rëndojnë tri akuza për pengim të personave zyrtarë, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, si dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. /E.A/

Exit mobile version