Ramon Calderon, ish-president i Real Madridit ka folur rreth gjendjes nëpër të cilën është duke kaluar Real Madridi, duke thënë se presidenti i Real Madridit, Florentino Perez po e paguan çmimin për shitjen e yllit portugez Cristiano Ronaldo.
Këtë vit, Ronaldo është duke regjistruar sezonin e tij të tretë me skuadrën e Juventusit, pas shitjes që iu bë nga Florentino Perez. E po këtë gjë po e kritikon Calderon, pasi që sipas tij shitja e Ronaldos ishte një gabim.
“Ai bëri një gabim të madh me Cristiano Ronaldon. Ndoshta unë jam i pjesshëm në këtë çështje sepse Cristiano nënshkroi për mua, por një nga gabimet kryesore të Perez është se ai nuk e pranoi këshillën që mori. Në këtë çështje ai vazhdimisht bënte komente në lidhje me Cristianon dhe marrëdhënia mes tyre nuk ishte e mirë. Në fund ai vendosi të shesë dhe tani ai po ofron një nivel të shkëlqyeshëm me Juventusin, duke konfirmuar se ai është ende një nga lojtarët më të mirë në botë dhe se ai mund të luajë edhe për tre ose katër vjet tjera”, ka thënë ish-presidenti i klubit madrilen, Ramon Calderon.
Madrilenët, që nga shitja e Cristiano Ronaldos nuk janë duke kaluar në një formë të mirë, duke pasur humbje të herëpashershme, si dhe duke rrezikuar kalimin e grupeve në Champions League, kompeticionin ku Ronaldo dhe Real Madrid ishin më të mirët, duke fituar tre herë rresht këtë trofe./UBTNews